Ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi do të përballet dhe me sekuestrimin e pasurisë.  Mësohet se Klosit, e cila u arrestua me 3 shkurt i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh.

 

Alda Klosi u arrestua pas zbulimit të një shume të madhe parash në apartamentin e Rozeta Dobit, e cila ishte akuzuar për vjedhje nga ana e Klosit, ku kishte punuar si pastruese.

 

Por ish-zyrtarja deklaroi një shumë shumë herë më të vogël se sa ajo që u gjet në shtëpinë e pastrueses, e cila më 3 shkurt deklaroi se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin.

 

Zyrtarisht sipas Policisë së Tiranës Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.