Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Eno Bozdo në një deklaratë për mediet, e cilësoi sot fyese rritjen me 4% të pensioneve.

Anëtari i kryesisë së PD-së bëri përgjegjës qeverinë për pensionet e ulëta.

“Përgjegjësi për këtë ka vetëm qeveria, dhe jo biznesi që thërritet dhe telendiset “live”, për t`i hedhur shqiptarëve trutë e gomarit”- u shpreh Bozdo.

Sipas Bozdos, shumica e vendeve të rajonit i kanë pensionet mesatare dyfishin e artyre në vendin tonë.

Bozdo u shpreh se këtë nuk e kanë arritur duke fajësuar biznesin, por duke ndërmarrë reforma kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.

“Shqipëria, edhe pse konsiderohet një vend më ngarkesë të lartë fiskale, është e fundit në Ballkan për sa i përket të ardhurave të mbledhura. Ajo realizon të ardhura në 27,8% të PBB, kur Kosova shkon në 29,3%, Maqedonia në 31%, Serbia dhe Mali i zi në 42%. Nëse Shqipëria do të performonte sa mesatarja e rajonit, sot do të mblidhnim 1,8 miliardë euro më shumë, të mjaftueshme për t`i dyfishuar rrogat dhe pensionet bashkë”- tha Bozdo.

Sipas tij, zgjedhjet e vitit që vjen janë “kufiri që ndan mundësinë për një atdhe normal nga Shqipëria e boshatisur dhe e telendisur e Ramës”.

“Një kabinet teknik asnjanës, që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që i hap rrugën një qeverie që aktin e saj të parë do të ketë vendosjen e minimumit jetik dhe uljen e taksave për individët edhe bizneset”, tha Bozdo./ata