Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i drejtuar nga nënkryetari Eduard Ndreca, miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2022, për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”.

Projektligji u prezantua zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ilva Gjuzi, e cila bëri një përmbledhje të përmbajtjes dhe kushteve financiare të marrëveshjes, qëllimit dhe risive, duke parashtruar se projekti në fjalë ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, si dhe ka në fokus të forcojë rezistencën ndaj rreziqeve klimatike.

“Projekti do të ketë tre shtylla kryesore: shërbime të informacionit për klimën; forcimin në nivel kombëtar të sistemit të paralajmërimit të hershëm; si dhe vendimmarrjen e bazuar në informacionet mbi klimën”, tha Gjuzi.

Zëvendësministrja Gjuzi u shpreh se “nëpërmjet këtij projekti do të kontribuohet në Agjendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike”.

Deputeti Xhemal Qefalia në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit dhe marrëdhëniet e mira të kahershme me qeverinë gjermane, si dhe duke u ndalur në kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren, ftoi kolegët ta miratojnë.

Pr/ligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Opozita nuk ishte e pranishme në punimet e Komisionit për për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut./ata