Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare legjenda e volejbollit shqiptar Vangjel Koja, Nderi i Kombit.
Emri i Vangjel Kojës është fiksuar në kujtesën e sportdashësve dhe më tej, si një nga figurat simbol të volejbollit shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga djali i tij, trajneri i ekipit të volejbollit të vajzave të “Skënderbeut” Orlando Koja.
Vangjel Koja e ka nisur karrierën si atlet, më pas si basketbollist dhe volejbollist, duke u bërë trajner i skuadrës së “Dinamos” në volejboll për meshkuj, kampione absolute në vitet 1964-1990 dhe ku arriti të hynte mes 4 më të mirave në Evropë.
Ai i ka dhënë shumë këtij ekipi duke fituar 23 tituj kampionë dhe 17 Kupa Republike, e duke lënë gjurmë edhe në kompeticione europiane. Pasionin për volejbollin Vangjeli ia trashëgoi edhe djalit të tij Orlandos, i cili nderon emrin e babait të tij. Edhe në moshë të thyer ai vazhdonte me të njëjtin pasion si në rininë e tij, duke frekuentuar stadiumet sa herë që kishte ndeshje të rëndësishme.
Homazhet do të mbahen sot paradite në kishën e Shën Sotirit në Korçë, e më pas do t’i jepet lamtumira e fundit legjendës së volejbollit shqiptar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se, me ikjen e tij humbëm një emër të madh të volejbollit shqiptar, por ai do të mbetet në histori, një simbol i sportit shqiptar.
Për humbjen e Vangjel Kojës, reagoi edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, që e cilësoi si një humbje të jashtëzakonshme për sportin dhe sidomos për volejbollin që dikur ishte krenari e të gjithëve edhe falë Vangjel Kojës./ata