Pas përfundimit të javës së 7-të të kampionatit “Abissnet Superiore” është përzgjedhur formacioni dhe trajneri më i mirë i javës. Trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave pas analizimit të performancës së ekipeve kanë vendosur për 11 lojtarët dhe trajnerin më të mirë.
Në portë është përzgjedhur portieri i AF Elbasanit, Razak Abalora. Mbrojtja është e përbërë nga Andi Hadroj i Partizanit, Bruno Telushi i AF Elbasanit, Marko Juric i Vllaznisë dhe Qëndrim Ismajli i Tiranës.
Në repartin e mesfushës janë përzgjedhur Klinti Qato i Vllaznisë, Ledio Beqja i Teutës dhe Arinaldo Rrapaj i Partizanit. Ndërsa në repartin e avancuar janë Esat Mala i Vllaznisë, Archange Bintsouka i Partizanit dhe Fatmir Prengaj i Tiranës, që realizoi dy gola në takimin ndaj Skënderbeut.
Trajneri më i mirë i javës së 7-të është përzgjedhur tekniku i Partizanit, Aleksandar Veselinovic, që mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias./ata