Ndërtimi dhe turizmi ishin dy motorët kryesorë të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit. Instituti i Statistikave thotë se ekonomia gjatë muajve prill-maj-qershor është rritur me 4.06% krahasuar me vjet. Kurse si gjashtëmujor ekonomia është rritur me 3.94% krahasuar me janar-qershor të vitit 2023.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 4,06% në terma reale kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2023. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me +1.12%, ndertimi me +1.12 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me +0.86 %, aktivitete profesionale dhe shërbim administrative me 0.62%, bujqësi pyje dhe peshkim me +0.17%, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.13%, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 0.13 %; arte , argëtim dhe çlodhje me 0.06%. Negativisht ka kontribuuar grupi industri, energji dhe ujë me 0.96%, informacioni dhe komunikacioni me 0.11%.; taksat neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me 0.92%”, tha drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli.
Sipas raportit të INSTAT, ndërtimi e ka mundur turizmin në tremujorin e dytë sa i takon rritjes krahasuar me vjet. Aktiviteti ndërtues në këtë periudhë është shtuar me 10.10% më shumë se tremujori i dytë i 2023-shit. Ndërsa turizmi, përtej bumit të vizitorëve, renditet në vend të gjashtë me rritje prej 6,48% krahasuar me vjet.
Përpara turizmit, me rritje të konsiderueshme janë shërbimet administrative (9.58%), aktiviteti financiar dhe i sigurimit (8,71%), më pas Administrata Publike +8,05%. Në këtë periudhë ka ‘ngecur’ sektori i pasurive të paluajtshme, pasi shitjet janë rritur me vetëm 2.69% krahasuar me vjet. Ndikim në këtë ngadalësim të shitjeve kanë dhënë çmimet e larta të pronave që vetëm rriten, por edhe nisma për një tjetër rivlerësim të pronave të patundshme brenda vitit, që ka bërë që të ketë një stopim në tregun imobiliar. Dy sektorë në rënie për këtë periudhë sipas INSTAT janë bujqësia dhe industria./Shqiptarja