Pas një dekade nën drejtimin e norvegjezit Jens Stoltenberg, NATO ka zyrtarisht një udhëheqës të ri.
Stoltenberg i dorëzoi këtë të martë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, ish kryeministrit holandez, Mark Rutte. Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës, Stoltenberg tha se pasardhësi i tij holandez ka aftësitë dhe eksperiencën e përsosur për të drejtuar aleancën.
“Mark ka sfondin e përsosur për t'u bërë një sekretar i përgjithshëm i madh. Ai ka shërbyer si kryeministër për 14 vjet dhe ka udhëhequr katër qeveri të ndryshme koalicioni, kështu që ai di të bëjë kompromise, të krijojë konsensus dhe këto janë aftësi që vlerësohen shumë këtu në NATO”, tha ai.
Holandezi Rutte u shpreh entuziast për detyrën kryesore të NATO-s, që iu besua nga vendet anëtare, duke thënë se mezi po pret të fillojë nga puna.
Ai theksoi se prioritetet e tij do të ishin mbështetja e NATO-s për Ukrainën, forcimi e aleancës dhe forcimi i partneriteteve që aleanca ka krijuar me vende të tjera anembanë botës, veçanërisht në Azi dhe Lindjen e Mesme. Si një kritik i i palëkundur i presidentit rus Vladimir Putin, Rutte tha se rruga e anëtarësimit të Ukrainës në NATO është e pakthyeshme.
“Nuk mund të ketë siguri afatgjate në Evropë pa një Ukrainë të fuqishme dhe të pavarur. Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të triumfojë si një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik”, tha Rutte në fjalimin e tij të parë nga zyra e re, teksa përsëriti zotimin e bërë nga udhëheqësit e aleancës më 2008 se “vendi i merituar i Ukrainës është në NATO
Rutte nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së fortë të lidhjes transatlantike midis Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Evropës dhe shprehu besimin se ai mund të punojë mirë me këdo që zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë.
Ai vlerësoi ish presidentin Donald Trump, për nxitjen e aleatëve të NATO-s për të investuar më shumë në fushën e mbrotjes. Gjithashtu e përshkroi zëvendëspresidenten Kamala Harris si "një udhëheqëse shumë të respektuar".
"Unë i njoh shumë mirë të dy kandidatët. Do të jem në gjendje të punoj me të dy, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve", tha ai.
Rutte qeverisi për 14 vjet Holandën, duke u bërë kështu udhëheqësi më jetëgjatë i vendit të tij. Nga kjo e hënë 57-vjeçari është sekretari i 14-të i përgjithshëm i NATO-s dhe holandezi i katërt që mban këtë post./Shqiptarja