Fondi Evropian për Evropën Juglindore për Zhvillim, (EFSE),  Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, dhe Rabo Partnerships me qendër në Holandë në bashkëpunim me institucionin mikrofinanciar kanë bërë bilancin e 7 viteve bashkëpunim, duke vlerësuar efektet e digjitalizimit në financimin në bujqësi.

Programi e ka transformuar mikrofinancën në ofruesin kryesor në Shqipëri të financave rurale të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Palët shikojnë prapa në përpjekjet e tyre të përbashkëta, bashkëpunimi ka ndërtuar një organizatë të fortë bashkëpunuese financiare me një strategji të qartë, sisteme të fuqishme IT, qeverisje të shëndoshë dhe korniza të menaxhimit të rrezikut dhe operacione efikase. Ky partneritet ka fuqizuar klientët në të gjithë Shqipërinë, duke nxitur prosperitetin dhe zhvillimin rural.

Jacob Ole Nestingen, menaxher në Finance in Motion tha se “ndër vite kemi punuar nga afër me mikrofinancën për të mbështetur bizneset e vogla nëpër Shqipëri. Mikrofinanca punon nga afër me sipërmarrjet, kryesisht në zonat rurale, duke u mundësuar atyre financim, por edhe duke i mbështetur ato në rritje dhe zhvillim”.

Rabo Partnerships, pjesë e  bankës Rabobank, banka  ndërkombëtare holandeze që udhëheq financimin në Food & Agri, ka qenë ofruesi kryesor i ekspertizës në këtë projekt. Duke reflektuar mbi projektin, Bjorn Schrijver, menaxher i  Projektit, vlerëson investimet e institucionit mikrofinanciar për energjinë dhe guximin e tyre për të modernizuar sistemet dhe strukturat e tyre të brendshme – një proces shumë kompleks – për të zhvilluar produkte dhe shërbime të përshtatshme për segmentet e pashërbyera të industrisë së shërbimeve financiare në Shqipëri.

Perlat Sulaj, përfaqësues i mikrofinancës theksoi se, gjatë kohëzgjatjes së këtij projekti kanë financuar rreth 200 milionë euro, gjysma e të cilave kanë qenë për aktivitete të lidhura me bujqësinë, blegtorinë dhe zonat rurale.

“Numri i anëtarëve tanë është rritur 2.5 herë nga fillimi i këtij projekti, duke arritur në gati 94 mijë anëtarëKrahas kredive kemi ofruar një gamë të gjerë të produkteve si depozita, llogari rrjedhëse, produktet e pagesave utilitare etj. Digjitalizimi ka qenë një nga shtyllat e këtij projekti”, tha ai.

Ndërsa ambasadori Reinout Vos, theksoi se, “Mbretëria e Vendeve të Ulëta është e lumtur të mbështesë këtë projekt, duke mundësuar fuqizimin e fermerëve dhe sipërmarrjeve në zonat rurale”.

Duke parë të ardhmen e bujqësisë së Shqipërisë, disa ekspertë ndanë pikëpamjet e tyre mbi atë që është e rëndësishme për të krijuar një sektor të qëndrueshëm bujqësor. Corné de Louw, menaxher i Lartë i Projektit në Rabo Partnerships theksoi rëndësinë e të pasurit një pikëpamje afatgjatë për të gjithë ekosistemin.

Ndërsa Zana Konini, eksperte në sektorin mikrofinanciar tha se “institucioni i mikrokredisë  përfaqëson, jo vetëm kooperativën financiare më të madhe në vend me mbi 90 mijë anëtarë, por dhe një institucion modern në të gjitha aspektet e qeverisjes dhe praktikave të punës, të specializuar në financimin e bujqësisë dhe agrobiznesit, me një ofertë unike shërbimesh financiare, por dhe të asistencës së biznesit Agri, nëpërmjet platformës digjitale online”.

“Në këtë konferencë gjendemi në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të diskutuar dhe për të marrë përgjegjësitë tona për avancimin e mëtejshëm të financave dhe bujqësisë së qëndrueshme në vend”, theksoi Konini./ata