Të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër kaluan sot një ditë të veçantë.

Në kuadër të 1 Tetorit, Ditës Botërore të të Moshuarve, bashkia Shkodër në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Këshillin e Qarkut dhe Qendrën Komunitare “Për Familjen”, organizuan një aktivitet ndryshe në Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës.

Të moshuarit shijuan një shëtitje në liqen me anijet turistike “Drini” dhe “Buna”, të shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Benet Beci.

Pas shëtitjes, festa vazhdoi në qendër të Shirokës, ku të moshuarit u përshëndetën nga autoritetet e pranishme.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka shpallur 1 tetorin, Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Ndërsa popullsia plaket, kërkesa për kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës, ​​kujdes dhe shërbime mbështetëse sociale është rritur ndjeshëm, veçanërisht për personat e moshuar që vuajnë nga demenca./ata