Kombet e Bashkuara shënojnë Ditën e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) më 27 qershor çdo vit.

Kjo ditë njeh rolin kritik që luajnë NMVM-të në zhvillimin ekonomik global. Ato janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës, duke zënë një pjesë të konsiderueshme të punësimit dhe aktivitetit ekonomik në mbarë botën, si dhe duke i bërë ato shtytësit kryesorë të risive dhe rritjes.

Në Shqipëri, mbështetja e USAID-it për nismat e sektorit privat ka qenë shtysë kryesore e rritjes dhe suksesit për shumë sipërmarrje vendase.

”Historitë e suksesit si Loam Medicine, Kantina Herta dhe Agro Magjia theksojnë se si mbështetja e Shteteve të Bashkuar ka ndihmuar në sigurimin e granteve, kredive dhe planeve të përparuara të biznesit, duke u mundësuar këtyre sipërmarrjeve të zgjerohen dhe të lulëzojnë”, shkroi në rrjete sociale USAID/ Albania.

NMVM-të përbëjnë 90 % të bizneseve, 60 deri në 70 % të punësimit dhe 50 % të PBB-së në mbarë botën. Si shtylla kryesore e shoqërive kudo, ato kontribuojnë në ekonomitë lokale dhe kombëtare dhe në ruajtjen e mjeteve të jetesës, veçanërisht në mesin e të varfërve që punojnë, grave, të rinjve dhe grupeve në situata të cënueshme.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 27 Qershorin si “Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme” për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në arritjen e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm./ata