Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se përmes Programit të Kodimit janë aftësuar 1 331 të rinj.

Gonxhja ndau historinë e një prej përfitueseve të këtij programi, e cila tanimë është punësuar si programuese.

“Joana, përfituese e Programit të Kodimit, tanimë është e punësuar si programuese”, u shpreh Gonxhja.

Studentja nga Tirana u njoh me mundësinë e ofruar për të ndjekur kursin e kodimit përmes përfitimit të bursës. Joana u zhvillua profesionalisht duke u pajisur me një certifikatë të njohur ndërkombëtarisht dhe sot ajo është e punësuar si Junior Developer.

“Me mbështetjen e qeverisë, përmes Programit të Kodimit janë aftësuar deri tani 1 331 kodues të rinj. Për të gjithë të rinjtë të apasionuar në teknologji e inovacion, aplikimi për të ndjekur kurs formimi me mbështetje financiare kryhet përmes e-Albania në shërbimin “aplikim për kursin e formimit me mbështetje financiare”, theksoi ministri./ata