Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu konfirmoi sot se Shqipëria është bërë shënjestër e dezinformimit dhe propagandës keqdashëse, ndaj sipas tij, nevojitet një strategji për përballjen me këtë fenomen mbarëbotëror.
Vengu zhvilloi sot një seancë dëgjimore në komisionin e posaçëm parlamentar “Për koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, ndërkohë që opozita bojkotoi punimet e këtij komisioni.
Ministri i Mbrojtjes solli në vëmendje raste konkrete të kërcënimeve që i kanë ardhur vendit tonë përmes propagandës dhe dezinformimit nga Rusia dhe Irani.
“Dezinformimi shpeshherë keqkuptohet dhe perceptohet si kërcënim i largët që prek vende më larg se ne, por faktet janë kokëforta dhe tregojnë se edhe Shqipëria është e kërcënuar nga ky fenomen, qoftë në trajtën e dezinformimit operacional dhe aktiv nga vende me influencë malinje nga vende të treta jashtë Aleancës së NATO-s dhe BE-së, sikundër edhe nga trajta tjetër e dezinformimit, që është propaganda e financuar nga vende të caktuara”, theksoi Vengu.
Ai solli në vëmendje reagimin e ambasadës së Federatës Ruse në vendin tonë lidhur me organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në 19 shtator 2024 në Tiranë, e cila artikuloi akuza të pabaza për këtë aktivitet kulturor, me synim manipulimin e opinionit publik.
“Ky manipulim informacioni nga shtete të huaja që përfshin dezinformimin dhe propagandën është një kërcënim ndërkombëtar i sigurisë që mund të krijojë apo shfrytëzojë përçarje brenda dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin e zgjedhjeve dhe të minojë besimin e publikut ndaj qeverisë”, shtoi Vengu.
Sipas ministrit “propaganda e lajmeve të rreme po rrezikon ekosistemin informativ”.
Po ashtu, Vengu solli në vëmendje faktin se Shqipëria është bërë shënjestër e dezinformimit dhe propagandës edhe nga Irani.
“Në prill 2024, Ministria e Mbrojtjes themeloi Qendrën e Inovacionit dhe Sigurisë e Mbrojtjes. Në mënyrë zyrtare apo përmes kanaleve mediatike dhe platformave online u ringjall reagimi i palës ruse, madje dhe përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, e cila tha se ky investim i NATO-s po krijohet për kërcënime hibride në Ballkan dhe praktikisht akuzonte Shqipërinë që kishte një strategji ofensive për kërcënime hibride në Ballkan”, shtoi Vengu.
Ministri konfirmoi se Shqipëria është vënë në shënjestër nga Rusia dhe Irani me deklarata nga më të ndryshmet dhe këto deklarata që fillojnë në mënyrë zyrtare më pas hidhen në platforma online dezinformimi.
“Përballë këtyre kërcënimeve nevojiten disa rekomandime. Dezinformimi do të vijojë të mbetet një instrument për të ndikuar nga aktorë të ndryshëm në hapësirën informative. Kundërpërgjigjja institucionale e mbështetur në mjete financiare mbetet kyçe. Rusia shpenzon 1.5 miliardë deri në 2 miliardë dollarë për dezinformim aktiv. Ndërsa vetë BE ka një buxhet të dedikuar prej 20 milionë euro për t’iu kundërpërgjigjur dezinformimit”, tha Vengu.
Ministri theksoi po ashtu se tani që industria jonë ushtarake është në fazë ringritje, këto përpjekje të Shqipërisë kanë nisur të prodhojnë efektet nga palët e treta, për të dezinformuar mbi qëllimet reale të ringritjes së kësaj industrie.
“Ne i kemi të gjitha instrumentet për identifikimin e burimeve dezinformuese apo koordinimin me partnerët tanë. Kjo dikton nevojën e menjëhershme për të gjetur disa hapa ligjorë e teknikë, që besoj ky komision do të na japë mundësinë t’i ndërtojmë. Nevojitet po ashtu bashkëveprim më i mirë mes institucioneve në nivel qeverisës apo me operatorë privatë, si kompanitë e telekomeve apo kompanitë që lidhen me platformat ndërkombëtare të medieve sociale”, tha Vengu./ata