Ka nisur sot në Baku ceremonia e hapjes së sesionit të 29-të të Konferencës së Palëve (COP29) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, një nga ngjarjet më prestigjioze dhe madhështore në botë.
COP29, që zhvillohet në Stadiumin Olimpik të Baku nga 11 deri më 22 nëntor 2024, është eventi më i madh që Azerbajxhani ka organizuar deri më sot dhe i pari i këtij lloji në rajonin më të gjerë.
Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Marrëveshja e vendit pritës dhe dokumente të tjera të rëndësishme tashmë janë nënshkruar mes qeverisë së Azerbajxhanit dhe Sekretariatit të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Samiti i Liderëve Botërorë të Veprimit për Klimën, ngjarja e nivelit më të lartë të COP29, do të zhvillohet më 12-13 nëntor 2024.
Një pritshmëri kryesore nga COP29 është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG) të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës.
Katërmbëdhjetë nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër, reduktimin e metanit nga mbetjet organike dhe promovimin e veprimit digjital të gjelbër.
Këto iniciativa synojnë të gjenerojnë financa për klimën, thelbësore për përmbushjen e objektivit të ngrohjes globale prej 1,5°C dhe për të siguruar një përgjigje të unifikuar globale ndaj ndryshimeve klimatike./ata