Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali bashkëbisedoi sot me nxënës të shkollës “Kosova”, në Tiranë.

Fëmijët u bënë pjesë e “Punishtes së Demokracisë”, një program i Kuvendit të Shqipërisë, i cili synon të rrisë njohuritë dhe shprehitë e fëmijëve mbi vlerat dhe institucionet demokratike, Kuvendin dhe rolin e qytetarëve të angazhuar në shoqërinë demokratike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të nxënësve, Spiropali nënvizoi se nxënësit mund të kontribuojnë për forcimin e demokracisë përmes pjesëmarrjes aktive.
“Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje forcon demokracinë. Demokracia është një mekanizëm i gjallë që duhet ushqyer, duhet furnizuar dhe duhet mbajtur e fortë.

Demokracia është një sistem ku njerëzit duhet të jenë pjesëmarrës. Vetëm në sistemet totalitare, diktatoriale, vendosin të tjerët për qytetarët. Deputetët janë ata që sjellin zërin e qytetarëve në Parlament”, u shpreh Spiropali.

Sipas Spiropalit, njohja me Kuvendin, hartimin e ligjeve dhe funksionet e tjera të tij, është e rëndësishme, sepse Kuvendi është një shtyllë e fortë dhe thelbësore për demokracinë në vend.

“Një nga tri shtyllat e sistemit, pushteti legjislativ përfaqësohet nga Kuvendi. Gjithashtu monitorohen dhe mbikëqyren institucionet e tjera. Me shumë rëndësi është që të kuptoni si funksionon balanca e pushtetit”, u shpreh Spiropali./ata