Në kuadër të operacionit policor “Sundimi i ligjit”, i fokusuar në kapjen e personave në kërkim, policia ka arrestuar një 48-vjeçar të kërkuar për tentativë vrasjeje.

Sipas policisë, i dyshuari, F. K., banues në Durrës, u ndalua nga shërbimet e Policisë Kufitare në pikën kufitare të Morinës, ndërsa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Sipas autoriteteve, F. K. ishte shpallur në kërkim për një incident të ndodhur një vit më parë, ku dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri drejt automjetit të shtetasit F. Sh., pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 8 të Durrësit, ndërsa për fat të mirë nuk pati të lënduar.

Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj të arrestuarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme./ata