Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të punësimit e të pagave në ekonominë shqiptare.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në tremujorin e dytë 2024, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 1.9%, krahasuar me tremujorin e parë, ndërsa, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë.

Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi.

Në këtë kontekst, politika e kujdesshme monetare e ndjekur nga Banka Qendrore gjatë dy viteve të shkuara, ka rezultuar e suksesshme.

“Normat e interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave me vlerë, kanë ardhur në rënie gjatë tremujorit të tretë.  Po ashtu, kushtet e kreditimit vijojnë të mbeten stimuluese dhe kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë tremujorit të tretë, duke pasqyruar ndër të tjera edhe një nivel më të lartë blerjesh valute nga Banka e Shqipërisë”, thekson BSH-ja.

Referuar statistikave, kredia për sektorin privat shënoi një përshpejtim të mëtejshëm gjatë muajve korrik gush. Ritmi i rritjes kulmoi në nivelin 16.8% në muajin gusht, duke qëndruar në nivelet më të larta të më shumë se një dekade. Kjo kredi ka vijuar të mbulojë nevojat e biznesit dhe të familjeve shqiptare për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të tyre, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet në masën më të madhe nga zgjerimi i portofolit të kredisë në lekë. Megjithatë, gjatë muajve të fundit është vënë re dhe një riaktivizim i kreditimit në valutë.

Banka e Shqipërisë parashikon që aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj.

Zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës për mallra e shërbime pritet të shoqërohet me një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm./ata