Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 3 %.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp theksoi se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll në terma të qëndrueshëm”.

“Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00 %”, u shpreh Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se, ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje, inflacioni mbetet në nivele të ulëta dhe nën kontroll, bilancet financiare të sektorit privat dhe të sektorit bankar janë të shëndetshme, tregjet financiare janë përgjithësisht të qeta dhe kushtet financiare mbeten akomoduese.

Guvernatori theksoi se, këto zhvillime janë në linjë me pritjet e BSH-së. “Ato pasqyrojnë edhe politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, politikë e cila ka arritur të përballojë goditjen mbi çmime të ardhur nga tregjet e huaja, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit”, tha ai.

Sejko deklaroi se, përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni do të kthehet pranë objektivit tonë gjatë vitit të ardhshëm.

“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, u shpreh Guvernatori./ata