Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë sot në konferencën e sotme të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, (FIAA) me temë “Rritja e gjurmës së Shqipërisë në sektorin rajonal të ekonomisë digjitale”.

Në fjalën e tij Gonzato theksoi se, Bashkimi Evropian po rrit mbështetjen e saj për tranzicionin digjital të Shqipërisë, falë Planit të Rritjes, si dhe programeve “Digital Europe” apo “EU4Innovation”.

Gonzato gjithashtu nënvizoi se si BE-ja i ndihmon bizneset dhe individët shqiptarë të rriten në epokën dixhitale duke investuar në aftësitë dhe infrastrukturat dixhitale dhe duke ofruar fonde për start-upet novatore.

Konferenca e ekonomisë dixhitale në Shqipëri shërben si një platformë kryesore për drejtuesit e industrisë, politikëbërësit dhe novatorët për të diskutuar të ardhmen e teknologjisë dhe ndikimin e saj në rritjen ekonomike.

Kjo konferencë bashkon ekspertë nga sektorë të ndryshëm për të ndarë njohuri mbi transformimin dixhital, tregtinë elektronike dhe rolin e teknologjive në zhvillim në rritjen e efikasitetit të biznesit.

Me fokus në nxitjen e bashkëpunimit dhe inovacionit, konferenca synon të pozicionojë Shqipërinë si një lojtar kyç në peizazhin e ekonomisë dixhitale të Ballkanit Perëndimor./ata