Kuvendi rrëzoi në seancën e sotme plenare kandidaturën e Ermal Fejzullës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pas rrëzimit të kandidaturës pasi nuk u arrit shumica e kërkuar, njoftoi se çështja do të rikthehet në nënkomisionin e ngritur nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut prej 5 anëtarësh.
Me 71 vota pro, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen me Gjermaninë për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri”.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje qeveria gjermane vë në dispozicion për projektin shërbime në personel e materiale, si dhe kontribute financimi, në një vlerë të përgjithshme fillestare pre 3 milionë euro, në formën e grantit.
Projekti në fjalë ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë, si dhe ka në fokus të forcojë rezistencën e Shqipërisë kundër rreziqeve klimatike përmes: shërbimeve të informacionit për klimën; forcimit në nivel kombëtar të sistemit të paralajmërimit të hershëm; vendimmarrjes së bazuar në informacionet mbi klimën.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti do të kontribuohet në Axhendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike./ata