Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla reagoi sot lidhur me kaosin që krijuan deputetët e opozitës në seancën plenare të Kuvendit, si reagim ndaj vendimit të gjykatës për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Saliani.
Në një prononcim për mediet Balla tha se, “këto situata përsëriten sa herë që Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të vet, të anëtarësimit në BE. Pas dy javësh kemi takimin që hap zyrtarisht kapitujt e anëtarësimit në BE dhe kthehemi në të njëjtën situatë”.
“Kush mendon se kjo sjellje ka të bëjë me një vendim gjykate e ka gabim. Shqiptarët nuk janë budallenj. Kemi një situatë që e kanë parë shpesh. Kush mendon të përsërisë të njëjtën marrëzi dhe të presë rezultat të ndryshëm e ka gabim”, deklaroi ai.
Balla u bëri apel deputetëve të opozitës që të distancohen nga dhuna.
“Apeli im si një deputet prej 20 vitesh është: Dhuna nuk ka vend në një demokraci. Nëse do të isha deputet i opozitës do ta kisha për nder, duke folur në emër të popullit. Në demokraci pushtetet janë të ndara. Vendimet e gjykatave duhet respektuar”, tha Balla.
Deputeti Braçe: Keni parë ndonjë herë të hyjmë me benzinë në parlament?
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe deputeti i PS-së Erion Braçe, i cili u shpreh për mediet se, kur ka qenë në opozitë nuk ka marrë kurrë benzinë me vete në Kuvend.
“Për ata nuk përgjigjem. Kanë tjetër shef ata. S’bëhem dot shefi i tyre. E keni fjalën për Metën që hypi? Keni parë ndonjë herë të hyjmë me benzinë në parlament?! Aty shahet nga mëngjesi në darkë, te klubi jo, puthen të gjithë aty”, tha Braçe./ata