Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përfundimit të takimit mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç ku temë diskutimi ishte zbatimi i propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

 

Ndërmjetësues në këtë tryezë ishin përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk.

 

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

 

Kryeministri Rama shprehu besimin që “djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord, por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”.

 

“Dhe le t’i përgëzojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e pa nënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, shprehet Rama në një postim në twitter.