Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kërkoi sot Konferencës së Kryetarëve që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Bardhi theksoi se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën vepër penale.

“Në shkelje të Kushtetutës ju si kryeparlamentare dhe si mazhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerr justifikime absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese, është praktikë e njohur, por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një here tek Këshilli i Mandateve ku vendimet e këtij Këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit në Kushtetuese”, tha Bardhi.

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla pohoi se të hënën do të mblidhet Këshilli i Mandateve për këtë çështje për të vijuar procedurën.

“Procedura thotë se çështjet do duhet të vijnë në Kuvend, por ju kërkoni ta zvarrisni”, replikoi Bardhi./ata