Bankat kanë vijuar të kryejnë ristrukturime të kredive, duke lehtësuar huamarrësit që kanë vështirësi për të paguar këstet.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se kredia e ristrukturuar gjatë 6-mujorit të parë 2024, ishte rreth dy miliardë lekë, ose 4.2 % e stokut të kredive me probleme.

Forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit.

Fluksi vjetor i kredisë së ristrukturuar vitet e fundit ka ardhur në rënie, çka tregon që aftësia paguese e huamarrësve në përgjithësi ka qenë e mirë.

Në fund të korrikut kredia me probleme shënoi nivelin 4.7 %, në rënie me vitin e kaluar.

Sipas rregullores, kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.

Gjithashtu bankat kanë vijuar edhe me procesin e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave./ata