Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici përfaqësoi Shqipërinë në ministerialin për Vreshtarinë dhe Verën, që u zhvillua në Itali.
Ky aktivitet u organizua nga Organizata Ndërkombëtare e Vreshtarisë dhe Verës dhe ministri italian i Bujqësisë dhe Sovranitetit Ushqimor Francesco Lollobrigida.
Civici e vlerësoi këtë takim me rëndësi të veçantë për çështjet e vreshtarisë dhe industrisë së prodhimit të verës, ku siç tha ai “Shqipëria është vendi i 50-të që i bashkohet OIV në 100 vjetorin e kësaj organizate”.
“Folëm për zhvillimin e sektorit të vreshtarisë dhe verës në Shqipëri dhe vlerat që varietetet autoktone shqiptare sjellin në këtë organizatë”, tha Civici.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV), në gusht të 2023, erdhi pas një pune të madhe që ka bërë MBZHR bashkë me ekspertët e fushës për të plotësuar çdo hallkë të zinxhirit që kërkon ky proces ndërkombëtarizimi i industrisë së verës “Made in Albania”.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet zhvillimin e industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale më të hershme në vendin tonë, që e ka bërë Shqipërinë të njihet për varietetet autoktone të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore./ata