Parku Kombëtar i Butrintit bëri të ditur se 177878 vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar Butrintin nga janari deri në shtator të këtij viti.

Grupe të organizuar, që kanë interes trashëgiminë kulturore vijojnë të vijnë edhe në vjeshtë. Vetëm gjatë muajit shtator, Parku Kombëtar i Butrintit u vizitua nga 44505 vizitorë, shifër e cila, krahasuar me vizitueshmërinë e vitit 2023, është 111% më e lartë.

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës.

Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.

Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik./ata