Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja priti në një takim ambasadorin e Katarit,  Jabor Ali H.A. Al-Dossari, me të cilin diskutoi për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit strategjik në disa fusha kyçe, duke përfshirë ekonominë, turizmin dhe shkëmbimet kulturore.

Gjatë takimit bashkëpunimi në fushën e ekonomisë ishte një nga pikat kryesore të bisedës, me fokusin për të gjetur mënyra konkrete për të rritur investimet dhe zhvillimin e përbashkët në qytetin e Elbasanit.

Turizmi, një tjetër sektor me potencial të madh u vlerësua si një fushë me rëndësi të veçantë për të dy vendet, duke ofruar mundësi për promovimin e kulturave dhe traditave unike të Shqipërisë dhe Katarit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ishte shkëmbimi kulturor, ku u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve midis dy popujve nëpërmjet artit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore.

Ambasadori Al-Dossari shprehu gatishmërinë e Katarit për të mbështetur iniciativa që forcojnë marrëdhëniet miqësore midis vendeve tona.

Kryebashkiaku Llatja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Katarit duke siguruar se bashkia e Elbasanit është e angazhuar që idetë e diskutuara të kthehen në projekte konkrete./ata