Trajneri Silvinjo ka publikuar sot listën me 24 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës të Kombëtares së futbollit, të vlefshme për Ligën B, Grupi 1 të Ligës së Kombeve.

Në listën e publikuar në faqen e FSHF-së, Silvinjo ka thirrur në grumbullim portierët Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Alen Sherri; në mbrojtje Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.

Në mesfushë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Adrion Pajaziti, Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi.

Reparti i sulmit do të ketë në dispozicion Jasir Asanin, Taulant Seferin, Arbër Hoxhën, Myrto Uzunin dhe Mirlind Dakun.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë këtë të dielë në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 7 tetor. Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të enjten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë.

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshjet e radhës në UEFA Nations League, në transfertë ndaj Çekisë (11 tetor, stadiumi “Epet Arena”, 20:45) dhe Gjeorgjisë (14 tetor, “Mikheil Meskhi Stadium”, 20:45).

Pas dy ndeshjeve të para situata në grupin e Kombëtares sonë paraqitet si më poshtë:

Liga B, Grupi 1
1. Gjeorgjia 6 pikë   (6:1)
2. Shqipëria 3 pikë  (2:2)
3. Çekia      3 pikë   (4:4)
4. Ukraina   0 pikë   (2:7)

/ata