Anija Kërkimore "Oruç Reis", e zhvilluar nga Türkiye me burime lokale dhe kombëtare, po numëron ditët për të nisur lundrimin për në Somali.

Në deklaratën e Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore thuhet se presidenti Recep Tayyip Erdoğan do të përcjellë për në Somali anijen "Oruç Reis" e cila do të kalojë të shtunën përmes Bosforit. Në ceremoninë e lamtumirës do të marrë pjesë edhe ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.

"Oruç Reis" do të arrijë në brigjet e Somalisë nëpërmjet rrugës së Mesdheut, Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq. Anija e cila është planifikuar të jetë në brigjet e Somalisë në fund të tetorit, do të kryejë punime sizmike për naftë dhe gaz natyror në 3 juridiksione detare të licencuara. Gjatë misionit të saj anija do të shoqërohet nga dy fregata të marinës si dhe Anija Mbështetëse "Zağanos Pasha", Anija Mbështetëse e Platformës "Sancar" dhe Anija e Ndjekjes "Ataman".

Anija "Oruç Reis" do të kryejë për herë të parë për këto zona punime sizmike tredimensionale posaçërisht në 3 zona të licencuara në brigjet e Somalisë. Gjatë aktivitetit i cili pritet të zgjasë afërsisht 7 muaj, "Oruç Reis" do të mbledhë të dhëna si për gazin natyror ashtu edhe për naftën. Të dhënat e mbledhura do të analizohen në Ankara dhe operacionet e shpimit do të fillojnë në vende të përcaktuara në varësi të rezultateve.

Ministri Bayraktar, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në deklaratë tha se Turkish Petroleum (Türkiye Petrolleri) ka një licencë kërkimi në një juridiksion detar prej 15 mijë kilometrash katrorë në Somali.

"Në këtë kontekst hapi i parë i kërkimit është aktiviteti sizmik. Së bashku me presidentin tonë ne do të përcjellim 'Oruç Reis' në Somali për të kryer studime sizmike. 'Oruç Reis' do të kryejë një studim sizmik 3 dimensional, i cili nuk është bërë kurrë më parë në zonën e caktuar të juridiksionit detar. Ne parashikojmë që zona ku 'Oruç Reis' do të punojë është një zonë me shenja nafte", tha ai.

 

- Karakteristikat e anijes

E ndërtuar në kantieret detare në Türkiye, "Oruç Reis" u lançua në det dhe filloi punën në vitin 2017 si rezultat i përpjekjeve të inxhinierëve, teknikëve dhe punëtorëve turq në të gjitha fazat nga projektimi deri në prodhim. Anija e cila është projektuar posaçërisht për të kryer studime gjeofizike, gjeologjike, oqeanografike dhe hidrografike, ka një gjatësi prej 87 metrash, gjerësi prej 23 metrash dhe lartësi prej 34 metrash.

"Oruç Reis" ka fuqi mekanike elektrike me naftë 4x2,520 kW, mund të kryejë kërkime sizmike dy dhe tre-dimensionale në aktivitetet nënujore të kërkimit të naftës dhe gazit natyror. "Oruç Reis" e cila deri më sot ka kryer shumë aktivitete sizmike në dete, ka mbledhur të dhëna tredimensionale dhe dydimensionale në një sipërfaqe totale prej 23 mijë kilometrash katrorë.

Këtë vit Türkiye dhe Somalia nënshkruan memorandume mirëkuptimi mes ministrave dhe qeverive. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, kompania kombëtare e naftës Turke Petroleum (Türkiye Petrolleri) mori licenca për 3 vendburime në detet e Somalisë. Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore planifikon të kryejë për herë të parë aktivitete sizmike në 3 zona të licencuara, secila me një sipërfaqe prej afërsisht pesë mijë kilometra katrorë./aa