Hezbollahu njoftoi se 17 ushtarë izraelitë janë vrarë në luftimet në jug të Libanit.
Në deklaratën me shkrim nga Hezbollahu thuhet se "salla e operacionit, bazuar në burimet e saj të besueshme në terren, transmeton se në përleshje janë vrarë 17 ushtarë izraelitë".
Ndërsa ushtria izraelite ka njoftuar se 9 ushtarë të saj janë vrarë në luftimet në Liban që nga 30 shtatori kur filloi sulmet e saj tokësore.
Ushtria izraelite më 30 shtator njoftoi fillimin e sulmeve tokësore të kufizuara dhe intensive kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit.
- Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 1.374 persona
Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.374 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 17 shtatori kur shpërthyen pajisjet e komunikimit "pager" të përdorura nga Hezbollahu.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz. Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar në Siri.
Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha./aa