Prej orës 15 të ditës së sotme dhe në vijim reshjet e dendura te shiut që kanë rënë në qytetin e Vlorës kanë sjellë dhe përmbytje në të gjithë qytetin. Në një prononcim për mediat kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha e quajti situatën e vështirë ndërsa mbi 30 familje janë evakuar deri tani. 

"Situata vijon të mbetet jo ajo që duam. Kjo për shkak të prurjeve të reshjeve që ishin shumë të dendura. Zgjati për një kohë të gjatë, 2 orë e 30 minuta pa ndalim që shkakoi dhe një efekt negativ tek pjesa e kanalit të ujrave të larta që ka dalë jashtë shtratit dhe gjithë uji ka vërshuar në mes të qytetit.  Jemi munduar me të gjitha mjetet e njerëzit që kemi në dispozicion jemi në terren për të menaxhuar situatën por situata ka qenë realisht alarmante. Edhe këtu ku jemi kemi kanalin nga bishti i Kalldrëmit që është bllokuar në një nga nyjet e veta. Do të punojmë të hapet me skrep për të kaluar uji' tha Dredha.  

Ka biznese të përmbytura?

"Ka shumë pasi janë disa lagje që janë afektuar. Ka pasur përmbytje edhe në banesa. Deri para gjysmë ore ishin mbi 30 familje që janë evakuar por ka dhe më shumë.  Kemi vënë në dispozicion konviktet tek shkolla mjekësore. Ka ende kërkesa nëpër lagje që duan të ndërhyjmë.

Gjithë skrepat dhe kompanitë që merren me ndërtim janë vënë në dispozicion për të na ndihmuar. Hidrovori ka qenë në punë, por në atë prurje reshje ka qenë mbi nivelin e detit për një kohë të gjatë dhe ishte e pamundur të tërhiqte në sasinë e duhur. Shpresojmë që reshjet të mos jenë në intensitetin e dy orëve më përpara" tha Dredha./Shqiptarja