Gjuha e shenjave është një e drejtë gjuhësore për personat që nuk dëgjojnë në të gjithë botën.
Kështu u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, nderojmë fuqinë e komunikimit pa barriera. Gjuha e shenjave është një urë që lidh botët, ndërton komunitete dhe promovon përfshirjen. Sot dhe çdo ditë, le të respektojmë të drejtën e të gjithëve për të shprehur veten në mënyrën që i përket më shumë. Bashkë mund të krijojmë një shoqëri ku çdo zë, edhe ai pa fjalë, dëgjohet dhe vlerësohet”, tha Koçiu.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave është një mundësi unike për të mbështetur dhe mbrojtur identitetin gjuhësor dhe diversitetin kulturor të të gjithë personave që nuk dëgjojnë dhe përdoruesve të tjerë të gjuhës së shenjave.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur 23 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e gjuhës së shenjave në realizimin e plotë të të drejtave të njeriut të njerëzve që nuk dëgjojnë./ata