Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) mori pjesë të enjten në një seminar të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ku Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri Ceno Klosi.
Ky seminar, i zhvilluar në bashkëpunim me SASPAC dhe me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim (SIDA), ishte pjesë e projektit “Tranzicioni i Drejtë në Ballkanin Perëndimor”.
Gjatë aktivitetit, u prezantuan skenarët e politikave që synojnë financimin e reformës në sektorin e energjisë, me fokus në krijimin e një sektori energjetik gjithëpërfshirës për të gjithë vendet e rajonit.
Zv/Ministri Ceno Klosi vlerësoi përpjekjet e ndërmarra në sektorin energjetik të Shqipërisë, duke nënvizuar se vendi tashmë është në gjendje të përballojë sfida globale si kriza energjetike e vitit 2022 dhe po shndërrohet me shpejtësi në një motor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Klosi theksoi se shkëmbimet e ideve midis pjesëmarrësve ishin frytdhënëse, duke u fokusuar në zhvillimet dhe përmirësimet e sektorit nga këndvështrime të ndryshme. Ai shtoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për të zhvilluar një sektor energjitik të qëndrueshëm dhe të fuqishëm, i cili jo vetëm përballon krizat globale, por kontribuon ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit./ata