Ndërtimi, bujqësia, minierat dhe transportit do jenë fokusi i kontrolleve për pagat e nëndeklaruara. Në strategjinë e re për sigurinë në punë 2024-2030 fenomeni i nëndeklarimit të pagave dhe tregu i punës në përgjithësi planifikohen ti nënshktrohen kontrolleve të thelluara për ti dhënë fund evazionit.

Në dokument thuhet se sektorët që kanë numrin më të lartë të aksidenteve si ndërtimi, minierat, bujqësia dhe transporti do të jenë në fokus të kontrolleve dhe inspektimeve të detajuara, me qëllim garantimin e sigurisë në punë. Në total gjatë vitit 2023, u regjistruan 168 aksidente në punë, 30 me pasoja fatale për jetën, ku shumica ishin në sektorin e ndërtimit, industrinë prodhuese e miniera.

Inspektimet do të bazohen kryesisht në teknologji me synim ngritjen e një sistemi digjital për të dhëna për shëndetin në punë si dhe për të marrë sinjalizime për mosrespektim të kushteve.

“Vënia në zbatim e sistemit digjital të të dhënave për shëndetin në punë do ta qartësojë dhe bëjë më efikas procesin e menaxhimit dhe analizës së të dhënave të pacientit për mjekët e punës. Ky sistem do ta lehtësojë diagnostikimin efikas të sëmundjeve profesionale duke çuar në ndërhyrjen dhe trajtimin në kohë të problemit. Për më tepër, do të mundësonte monitorimin e rreziqeve dhe tendencave në mjedisin e punës për çështje të shëndetit në punë duke i ardhur në ndihmë politikë-bërjes bazuar në të dhëna”, thuhet në strategji.

Tjetër fokus, thuhet se do të jetë edhe goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave.

“Sektorët të cilët janë veçanërisht vulnerabël ndaj informalitetit janë bujqësia, tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërtimi, ku dhe nivelet e punësimit informal njohin përqindje të larta si mbi 84%”, thuhet në strategji.

Luftën ndaj nëndeklarimit të pagave qeveria thotë se e ka nisur që më 1 tetor 2024, dhe nuk do të ndalojë derisa bizneset të reflektojnë e të deklarojnë pagat reale të punonjësve./Scan