Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2024.

Në këtë mbledhje u trajtuan disa çështje të rëndësishme për tregun e punës dhe mbrojtjen sociale.

Gonxhja bëri të ditur se, marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore me Italinë u prezantua me detaje, duke theksuar përfitimet që do të sjellë për qytetarët shqiptarë që punojnë në Itali dhe anasjelltas.

Gjithashtu u bë një prezantim i Skemës së Garancisë Rinore, e cila ka filluar të pilotohet dhe pritet të zbatohet deri në vitin 2027.

Ky program synon të rrisë punësimin e të rinjve dhe t’i integrojë ata në tregun e punës, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional, theksoi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu mbi Reformën e Sigurimeve Shoqërore, ku u theksua rëndësia e përmirësimit të skemave të pensioneve, për të garantuar një të ardhme më të sigurt për qytetarët shqiptarë.

Dokumenti politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP) 2024 – 2030 dhe plani i veprimit për këtë strategji u diskutuan në detaje.

Kjo strategji synon të rrisë standardet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës për të gjithë punëmarrësit, nënvizoi Gonxhja.

Gonxhja theksoi se, këto hapa janë të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e mundësive për të rinjtë dhe mbrojtjen sociale për të gjithë qytetarët./ata