Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Livadhja, ku së bashku me Drejtoreshën e AZHBR, Ardita Kuçi prezantoi sot Skemën Kombëtare të Investimeve në ferma dhe akuakulturë, në praninë e fermerëve nga Saranda, Finiqi, Delvina dhe Konispoli.

Denaj theksoi se, fermerët do të mbështeten me fondin prej 1.5 miliardë lekësh.

“Do të mbështesim fermerët me serrat diellore të reja, rrjeta antibreshër, mekanizimin e bujqësisë, stalla për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve, dhe kosha e rrjeta peshkimi për akuakulturën”, u shpreh Denaj, në një postim në rrjetet sociale.

Skema Kombëtare e Investimeve në Fermë, nis këtë vit me një buxhet 500 milionë lekë, e miratuar në Aktin Normativ të Qeverisë, por do të vijojë të paguhet dhe për gjatë vitit që vjen .

Aplikimet për këtë skemë kanë nisur më 1 tetor on-line në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe aplikantët e rregullt mund të fillojnë edhe këtë vit menjëherë nga pagesat me 30% të investimit grant./ata