Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe modernizimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës (BeH), duhet të jenë ndër prioritetet në rajon, tha të premten i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Duke folur të premten në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.

 

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës. Prandaj edhe kemi më shumë tensione”, tha Lajçak.

Ai iu referua veprimeve rishtazi të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

"Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim, tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, e as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë?” tha ai.

Duke qenë se Lajçakut i është zgjatur mandati deri në janar të vitit 2025, një nga pyetjet ka qenë nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri atëherë.

“Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve”, u përgjigj Lajçak.

“Por, ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare në shkurt të vitit të ardhshëm

Një nga temat e diskutimit në këtë forum të premten ishte edhe sulmi i armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në Banjskë, për të cilin i dërguari evropian tha se kishte ndikim shumë të dëmshëm në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

"BE-ja ishte shumë e qartë: ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe ne e dimë se cilët janë këta njerëz, disa prej tyre pranuan përgjegjësinë dhe është për keqardhje që ne nuk e shohim atë përgjegjësi", tha Lajçak.

Ai shtoi se BE-ja do të vazhdojë të ngulë këmbë në përgjegjësi, sepse rastet si Banjska nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim për përgjegjësit.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve e sulmoi policinë kosovare dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai është i paarritshëm për autoritetet kosovare dhe gjendet në Serbi.

Prokuroria kosovare ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin në Banjskë, tre prej të cilëve dolën para gjykate javën e kaluar, ndërkohë që pjesa e mbetur janë në arrati.

Kushtetuta e Bosnjës

Bosnja e mori statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian (BE) dhe u ftua t’i fillojë negociatat për anëtarësim, që është një hap i madh për BE-në, por ka nevojë për një përgjigje adekuate nga BeH, tha Lajçak.

"Pyetja thelbësore është se si të modernizohet Kushtetuta, sepse [Marrëveshja e] Dejtonit nuk është në përputhje me vlerat dhe integrimin evropian. Mendoj se ky duhet të jetë prioriteti i politikanëve - si të ruhet natyra shumëkombëshe e BeH pa diskriminim në nivel etnik dhe të përshtatet. Kushtetuta për të ecur përpara”, tha Lajçak.

Bosnja e ka statusin e kandidatit nga 15 dhjetori 2022.

I pyetur për ndikimet e huaja në BeH, veçanërisht ato ruse dhe hungareze, Lajçak u përgjigj se "procesi i integrimit është në duart e BE-së" dhe se Hungaria mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Një shtet nuk i vendos kriteret, por një vendim konsensual i Këshillit të Evropës”, tha Lajçak.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është një nga liderët e paktë të BE-së që takohet rregullisht me Millorad Dodikun, presidentin prorus të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria hungareze përdori veton ndaj sanksioneve të BE-së kundër Dodikut, i cili u sanksionua nga SHBA dhe Britania për shkak të akuzave për korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës./REL