Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot fillimin e vitit të ri akademik për studentët të cilët ulen sot për herë të parë në auditoret e universitetit dhe stafet pedagogjike.

Meta theksoi se universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm.

Por sipas tij, “vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin e duhur dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze”.

“Ndaj dhe viti i ri akademik nisi sot me protesta, të cilat i mbështes dhe i inkurajoj sepse është koha që zëri i studentëve dhe pedagogëve të dëgjohet fort. Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ai.

Meta theksoi se arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe “Partia e Lirisë e ka prioritet kryesor për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë”./ata