Biznesmeni arab Muhamed Alabbar, i cili po ndërton resortin turistik në portin e Durrësit, me sa duket nuk do të ketë nevojë fare të shpenzojë paratë e veta apo të marrë kredi në banka për të financuar projektin 2 miliardë eurosh.

 

Të dhënat zyrtare nga bilanci i Durrës Marina tregojnë se vitin e kaluar kompania arkëtoi 21 milionë euro nga parapagimet e klientëve, të cilët rezervojnë apartamente në resort.

Kompania Durrës-Marina ka nisur shitjen e apartamenteve në ajër, menjëherë pas miratimit të marrëveshjes me qeverinë shqiptare, që i dha asaj të drejtën të ndërtojë 13 mijë apartamente mbi tokën e falur shtetërore në Portin e Durrësit. Kjo kompani i shet apartamentet sipas një marrëveshje standard dhe një plani gradual pagese prej 7 këstesh.

Fillimisht qytetarët që duan të blejnë apartament në këtë resort duhet të paguajnë 1200 euro si tarifë rezervimi për apartamentin dhe 500 euro për rezervim parkimi.

Më pas, palët nënshkruajnë një marrëveshje paraprake shitje. Brenda 5 ditësh nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, klienti paguan 20 për qind të çmimit të blerjes.

Me marrjen e lejes së ndërtimit nga kompania për objektin ku është rezervuar apartamenti, klienti paguan 10 për qind të tjera brenda 3 muajve nga data e lejes dhe po 10 për qind të tjera brenda 6 muajve.

Ndërsa 60 për qindëshi i mbetur shlyhet më katër këste ku; 15 për qind menjëherë me përfundimin e karabinasë, 20 për qind pas vendosjes së xhamave, 20 për qind me përfundimin e fasadës dhe 5 për qind kur merret hipoteka.

Durrës Marina ka organizuar disa ankande për shitjen e apartamenteve dhe njësive në zonën e projektit. Deri në fund të vitit të kaluar shoqëria kishte marrë lejen e ndërtimit për tre godinat e para.

Projekti

Durrës Marina është një kompani e cila zotërohet nga dy aksionerë. Kompania Eagle Hills e biznesmenit araba Alabbar zotëron 67 për qind të aksioneve, ndërsa 33 për qind zotërohen nga qeveria shqiptare.

Projekti i Durrës Marina parashikon ndërtimin e një kompleksi rezidencial dhe tregtare dhe të një porti turistik jahtesh. Projekti parashikohet të ketë një vlerë prej rreth dy miliardë eurosh.

Sipas planit të biznesit, pritet që projekti të gjenerojë në total shitje në vlerën e afërsisht 3.2 miliardë euro, ndërsa fitimi i pritshëm neto për kompaninë që do të zhvillojë projektin është rreth 854 milionë euro.

Në përputhje me pjesën e saj të aksioneve, pala shqiptare do të përfitojë një të tretën e tyre, rreth 281 milionë euro. Pjesa më e madhe e të ardhurave do të vijnë nga shitja e rreth 13 mije apartamenteve, që do të përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të sipërfaqeve të ndërtimit. Pjesa e mbetur do të shkojë për hotele me katër dhe pesë yje dhe për njësi tregtare./ Kapitali.al