Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha uroi sot studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri universitar.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha u shpreh se “arsimi ndodhet në një krizë të thellë, me shumë degë të mbyllura për shkak të mungesës së studentëve, pasojë e shpopullimit dramatik që po pëson vendi”.
Sipas tij, buxheti është në nivelin më të ulët, vetëm 2.4%, çka tregon mungesën e vullnetit dhe strategjisë për të adresuar problematikat e pedagogëve dhe studentëve.
“Në programin e Demokratëve Euroatlantikë arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila do të synojë që universitetet shqiptare të prodhojnë jo thjesht të rinj me diploma, por profesionistë për një treg pune në ekonominë e së ardhmes”, theksoi ai.
Basha theksoi se programi i PD-Demokratët Euroatlantikë parashikon kampuse kombëtare në 4 qytete ku 25 mijë të rinj do të trajnohen në fusha prioritare të teknologjisë.
“10.000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë. Parashikohet rikonceptimi i ligjit të Arsimit të Lartë, në bashkëpunim me botën akademike, ekspertët më të mirë dhe studentët shqiptarë; dyfishimi i buxhetit për Arsimim e Lartë; modernizimi i infrastrukturës mësimore; bursë e plotë për çdo student në familjet me të ardhura të ulëta; bursë e plotë për studentët ekselentë; rritje të rolit të studentëve në zgjedhjet universitare, vlera e votës e të cilëve shkon deri në 30%”, theksoi Basha./ata