Tenderi me vlerë 7.2 milionë euro për implementimin e infrastrukturës së qendërzuar hardware ka dështuar për herë të dytë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi anullimin e kontratës së majme me motivin se në garë nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.

Kjo është hera e dytë që tenderi i majmë dështon për të njëjtën arsye.

Për herë të parë, tenderi për infrastrukturën e qendërzuar hardware u shpall në mars të këtij viti.

Sipas termave të referencës, qëllimi i tij ishte modernizimi i infrastrukturës dixhitale që proceson shërbimet publike. Sipas të dhënave zyrtare aktualisht në portalin e-albania shërbehen mbi 1250 shërbime elektronike dhe janë integruar në rrjetin qeveritar 255 institucione qeveritare.

“Për të përmbushur nevojat aktuale, por edhe për të krijuar baza të forta për të përballuar nevojat e parashikuara në rritje, për burime procesuese të bazuara në Arkitekturën SDDC Software Defined DataCenter, AKSHI kërkon të modernizojë infrastrukturën hardware dhe software që mbështetin platformat, shërbimet dhe sistemet elektronike, që aktualisht u shërbejnë qytetarëve, biznesit dhe vetë institucioneve shtetërore,” thuhej në dokumentat e tenderit.

Objekti i këtij projekti është pikërisht furnizimi, instalimi dhe konfigurimi i një platforme të tillë, të përbërë nga komponentët hardware dhe software për t’u vënë në shfrytëzim nga sistemet përbërës të Platformës Qeveritare të Ndërveprimit” thuhet në dokument.

Por në korrik, AKSHI e anulloi tenderin, pasi sipas saj në garë nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Procedura u rishpall menjëherë po në korrik, por edhe herën e dytë tenderi ka dështuar sërish.

Anullimi i tenderave kaq të mëdhenj nuk është një fenomen i zakonshëm, veçanërisht tek AKSHI./ Kapitali.al