Që prej 30 shtatorit fermerët po aplikojnë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote si dhe drejtoresha e AZHBR-së Ardita Kuçi zhvilluan sot një bashkëbisedim me fermerë të qarkut të Lezhës për të shpjeguar Skemën Kombëtare të Investimeve 2024.

Gjatë takimit u prezantuan kriteret e aplikimit dhe masat mbështetëse të skemës që përfshijnë ndërtimin e serrave të reja, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimit e stallave, mekanizimin e sektorit të bujqësisë, si dhe rrjetave të peshkimit për akuakulturë.

Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi, një nismë e qeverisë shqiptare, synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.

Fondi në dispozicion është 1.5 miliardë lekë dhe do të shpërndahet në formën e një granti prej 50 % për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.

Aplikimet janë të hapura deri në datën 8 nëntor 2024./ata