Gati 91 për qind e familjeve shqiptare kishin akses në internet sipas të dhënave të INSTAT, që i takojnë vitit 2021.

 

Shqipëria bashkë me Kosovën renditen të parat në Rajonin e Ballkanit për përqindjen e lartë të familjeve me internet. Krahasimi merr për bazë aksesin edhe nëpërmjet telefonit.

 

Në këtë drejtim Shqipëria ka bërë hapa para, pasi pak vite me parë renditej e fundit në Rajon për praninë e internetit në njësitë familjare.

 

Të dhënat e tjera zyrtare nga AKEP tregojnë se vetëm 76 për qind e familjeve shqiptare kanë akses në internetin me bazë të gjerë.

 

Infrastruktura dixhitale tani është njësoj e rëndësishme sa infrastruktura fizike në të gjithë globin.

 

Në Shqipëri kjo është e domosdoshme për shkak se qeveria shqiptare ka transferuar në internet pothuajse 95 për qind të shërbimeve publike, teksa po avancohet më tej.

 

Shqipëria renditet mirë në përhapjen e internetit, por qytetarët shqiptare bashkë me ato të Kosovës kanë njohuritë bazikë më të dobëta në rajon.

 

Sërish sipas të dhënave të Eurostat në grafikun e mëposhtëm, vetëm 20 për qind e qytetarëve shqiptarë kanë njohuri bazike për dixhitalizimin, duke lënë pas vetëm Kosovën me 13%.

 

Njohuritë më larta për aftësitë dixhitale i kanë qytetarët e Malit të Zi me 38%, Bosnjës me 29%, Serbisë me 29% dhe Maqedonisë së Veriut me 26%.

 

Aksesi në internetin me brez të gjerë dhe njohuritë e popullatës për përdorimin e infrastrukturës dixhitale janë tregues drejt përparimit.

 

Situata në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me 27 vendet e BE-27, tregon se ende ka hapësirë për përmirësim edhe pse transformimet dixhitale kanë manifestuar rritje ndër vite.

 

Të dhëna të tjera më të detajuara nga INSTAT tregojnë se pjesa e popullsisë mbi 55 vjeç janë të paaftë për të përdorur platformat online për shërbimet publike.

 

Me 2022 vetëm 6% e popullsisë mbi 55 vjeç kishte qenë e aftë të shkarkonte dokumente nga e-goverment gjatë një viti kalendarik.

 

Shërbimet dixhitale janë duke përparuar me shpejtësi në të gjithë botën, duke zëvendësuar pjesërisht ose plotësisht shumë profesione.

 

Studime të posaçme për Ballkanin Perëndimor kanë evidentuar se ende ka një lidhje të dobët ndërmjet sistemeve shkollore dhe programeve dixhitale.

 

Në shkollat shqiptare mësimdhënia bëhet me metodën klasike dhe shumica e shkollave në vend nuk kane internet dhe nuk ofrojnë mësime të përshtatura nga këto platforma. /Monitor