Me moton “Bosnjë, boshnjakët e Prizrenit janë me ty,” në Qendrën Kulturore Boshnjake në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, të hënën ka filluar aksioni për mbledhjen e ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Bosnje e Hercegovinë.
Përveç ndihmave financiare, po mblidhen edhe gjëra ushqimore dhe veshmbathje. Kontingjenti i parë i ndihmave pritet të dërgohet gjatë kësaj jave.
Përveç individëve, ndihma ushqimore po dërgohet edhe nga pronarët e disa qendrave tregtare.
Iniciatorja e kësaj nisme është një nga përfaqësueset politike të komunitetit boshnjak në Kosovë, Emilija Rexhepi, e cila është gjithashtu zëvendëskryeministre e Kosovës.
Rexhepi tha për Radion Evropa e Lirë se në mbledhjen e parë të Qeverisë, që do të mbahet të mërkurën, do ta shtrojë çështjen e mbështetjes për Bosnjën me ndihma edhe në nivel shtetëror.
Rexhepi bëri apel edhe tek banorët e tjerë të nacionaliteteve të ndryshme që, brenda mundësive të tyre, të kontribuojnë në këtë aksion.
Në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që goditën Bosnje e Hercegovinën në natën mes të enjtes dhe të premtes, kanë humbur jetën të paktën 19 njerëz, nga të cilët 16 në jug të shtetit dhe tre në Bosnjën Qendrore.
Sipas të dhënave të Kantonit të Hercegovinës-Neretvë, ende po kërkohen nëntë persona të zhdukur nga përmbytjet.
Instituti Federal Hidrometeorologjik (FHMZ) ka lëshuar një paralajmërim më 7 tetor për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që priten në pjesën më të madhe në jug të shtetit, si dhe në Bosnjën Qendrore të mërkurën, më 9 tetor, gjatë natës dhe orëve të mëngjesit./REL