Kombëtarja shqiptare nisi këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve (Nations League), atë ndaj Çekisë (Epet Arena, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi” 14 tetor, ora 18:00).
Kuqezinjtë zbritën në fushë pasditen e sotme, teksa seanca stërvitore nisi në orën 16:00 dhe zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.
Lojtarët prezentë në seancën e sotme stërvitore ishin: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Enea Mihaj, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Andi Hadroj, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Taulant Seferi, Marash Kumbulla, Myrto Uzuni, Adrian Ismajli, Mirlind Daku, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Jasir Asani dhe Ernest Muçi.
Në mbrëmje me grupin do të bashkohen edhe Arbër Hoxha, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami.
Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik kanë punuar më shumë në “Shtëpinë e Futbollit” me një pjesë të lojtarëve, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët, pasi kanë përfunduar impenjimet me klubet e tyre, ndërsa lojtarët që kanë mbërritur ditën e sotme kanë marrë ngarkesë të lehtë stërvitore.
Grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin, teksa skuadra zhvilloi edhe një test miqësor, ku të përfshirë ishin edhe disa lojtarë nga ekipi U-21 dhe U-19.
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër seancën e radhës stërvitore dhe grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo./ata