Tensionet dhe dhuna fizike sa herë që përballet Tirana dhe Partizani në një derbi nuk na shoqërojnë vetëm në fushat e blerta të futbollit, por fatkeqësisht edhe në basketboll, e për më tepër ku protagoniste janë lojtaret femra.

 

Në ndeshjen e basketbollit për femra, mes Tiranës dhe Partizanit, situata u tensionua pasi lojtaret filluan të grushtonin njëra-tjetrën. Ndeshja përfundoi me fitoren e Partizanit me 86 me 83, duke eliminuar Tiranën.

Gjithçka nisi kur amerikania Bannister goditi me grusht Dishnicën, e cila gjithashtu iu kundërpërgjigj me grushte. Ndërkohë në këtë moment një djalosh, ndoshta familjar i lojtares së Tiranës, e godet amerikanen me shqelm nga pas, ndërsa Dishnica më pas e shtyn lojtaren e Partizanit.

 

Bannister tenton të largohet drejt pankinës së kuqe, por aty vjen me vrap Dishnica që e shtyn atë për ta rrëzuar me kokë në parket.

Aty vijuan sërish edhe kacafytjet me njëra-tjetrën edhe pse trajnerja Eliverta Bujari u mundua t’i shkëpuste nga njëra-tjetra, po ashtu erdhën dhe shumë persona të tjerë për t’i ndarë mes kaosit.

 

Më tej, çdo gjë sheshohet edhe me ndërhyrjen e përfaqësuesve të të dyja klubeve.