Në Universitetin e Gjirokastrës do të studiojnë këtë vit akademik edhe të rinj nga Lugina e Preshevës, Bujanovci dhe Medvegja.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte sot në Gjirokastër ku u takua me pedagogë e studentë të Universitetit “Eqrem Çabej”, në nisje të vitit të ri akademik.
Ministrja ndër të tjera diskutoi edhe për integrimin e të rinjve në tregun e punës.
“Me pedagogët diskutuam për të integruar më mirë diplomat me tregun e punës, ku turizmi ka hapur fronte punësimi për të rejat e të rinjtë e gjithë qarkun Gjirokastër. Risia është se falë marrëveshjeve për shkëmbime studentore, tanimë këtu studiojnë edhe të rinj nga Lugina e Preshevës, Bujanoci e Medvegja”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja informoi se shumë shpejt do të nisë veprimtarinë e tij në Gjirokastrës kampusi i Universitetit Kombëtar të Spanjës për Edukimin në Distancë (UNED).
“Këto do ta kthejnë Gjirokastrën në një qendër që mbledh studentë nga të gjitha trevat”, thekoi ministrja.
Mbi 20 mijë studentë u ulën sot për herë të parë në auditoret e Universiteteve në të gjithë vendin./ata