Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, kërkoi mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për anëtarësimin e vendit të saj në Këshillin e Evropës.
Kryediplomatja kosovare Gërvalla-Schwarz, bëri vlerësime për Anadolu lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Duke theksuar se Kosova ka përmbushur kushtet e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ajo tha: "Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës".
Ajo rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në prill kanë rekomanduar anëtarësimin e Kosovës me shumicë të madhe votash. "Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjithashtu theksoi se Kosova i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme. Ne i kemi mbipërmbushur kushtet e nevojshme. Është koha që Franca dhe Gjermania të marrin përsipër drejtimin për këtë çështje dhe ta sjellin Kosovën në Këshillin e Evropës", tha kryediplomatja kosovare.
Duke treguar se Kosova ka arritur zhvillime të rëndësishme vitet e fundit në aspektin politik dhe ekonomik, Gërvalla-Schwarz tha se po punojnë për standarde më të avancuara demokratike, duke shtuar se vendi i saj po ecën me vendosmëri drejt synimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.
"Kur e shikoni Kosovën sot, kur shikoni gjithë punën dhe numrin e organizatave ndërkombëtare, e shihni këtë; Sot, Kosova është lider në demokraci dhe sundim të ligjit në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor", theksoi ajo, duke shtuar:
"Kosova gjithashtu është një shembull, ku mbështetja e komunitetit ndërkombëtar u shndërrua në një histori suksesi. BE; tregon se mund të pranojë për anëtarësim vendet që i përmbahen shtetit të së drejtës, rrisin standardet demokratike dhe punojnë për një perspektivë më të mirë për popullin e tyre. Nuk ka asnjë arsye pse BE-ja nuk duhet ta pranojë Kosovën si anëtare".
Sipas saj, për Kosovën ashtu siç BE-ja edhe anëtarësimi në NATO është një synim shumë i rëndësishëm, ndërsa tërhoqi vëmendjen se kjo është e një rëndësie të pazavendësueshme për stabilitetin dhe paqen në rajon.
"Integrimi euro-atlantik është i rëndësishëm për ne. Vetëm NATO mund të garantojë paqen dhe lirinë në rajonin tonë. Nuk besoj se Serbia mund të ndalet pa u bërë Kosova anëtare e NATO-s", vlerësoi Gërvalla-Schwarz.
Duke theksuar se vendi i Kosovës në institucionet si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja është thelbësor për sigurimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ministrja kosovare vuri në dukje se kjo do të ishte gjithashtu përgjigja më efektive ndaj disa fuqive të huaja që mund të dëshirojnë të krijojnë destabilizim në rajon.
Kryediplomatja e cila në deklaratat e saj të kaluara ka paralajmëruar shpesh për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në Ballkan, tha se "Sipas mendimit tim, nëse BE-ja nuk kujdeset nevojshëm për kontinentin e saj, nëse i lë hapësirë fuqive të tjera të huaja që nuk e duan BE-në, nuk ndajnë parimet dhe vlerat tona, që nuk duan mënyrën tonë të jetesës, atëherë gjithçka do të jetë shumë më e vështirë, do të na duhet të përballemi me tensione dhe konflikte"./aa