Ushtria izraelite ka nisur një iniciativë të re për të larguar me forcë palestinezët të cilët qëndrojnë në veri të Rripit të Gazës dhe të cilët pavarësisht sulmeve, urisë dhe bombardimeve, nuk u larguan nga territoret e tyre.
Zëdhënësi i Ushtrisë Avichai Adraee, publikoi në llogarinë e tij në rrjetet sociale një hartë që përfshin një zonë të madhe në veri të Gazës.
Adraee tha se ushtria izraelite kreu sulme intensive në rajonet Beit Hanoun, Beit Lahia dhe Jabalia në veri të Gazës.
Duke u kërkuar palestinezëve që jetojnë në këto zona të migrojnë në jug të Gazës, Adraee u përpoq të frikësonte palestinezët duke thënë "ju duhet të largoheni nga rajoni për sigurinë tuaj".
- Pavarësisht sulmeve dhe urisë, rreth 250 mijë palestinezë nuk u larguan nga shtëpitë e tyre
Para fillimit të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, rreth 1,4 milion palestinezë banonin në Gazën veriore.
Më shumë se 1 milion palestinezë në veri të Gazës që u shkatërrua nga sulmet dhe që u dënua me uri, u detyruan të migronin në jug, për të cilin u pretendua se ishte "i sigurt", por që më pas u vendos në shënjestër.
Ndërsa një pjesë e popullatës në veri të Gazës ku u shënuan shkatërrime të rënda, nuk i braktisën tokat e tyre pavarësisht sulmeve dhe urisë izraelite.
Deri më sot llogaritet se ka rreth 250 mijë palestinezë në veri të Gazës.
- Thuhet se Izraeli synon të evakuojë veriun e Gazës
Ushtria izraelite dje nisi sërish një sulm tokësor në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Gazës.
Ndërkohë që priteshin sulmet e Izraelit ndaj Libanit dhe reagimi i tij i mundshëm ndaj Iranit, ka tërhequr vëmendje se ai filloi një valë e re dhune dhe migrimi në veri të Gazës.
Teksa komuniteti ndërkombëtar po diskuton për zonat e tjera ku dhuna e Izraelit po përhapet, kjo lëvizje e re në veri të Gazës vjen pasi disa deputetë dhe ministra izraelitë i bënë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të shpallë veriun e Rripit të Gazës një "zonë të mbyllur ushtarake pa civilët".
Gazeta "Israel Hayom" raportoi se 27 persona, përfshirë ministra në qeverinë e koalicionit i shkruan më 18 shtator Netanyahu-t një letër për të zbatuar planin e përgatitur për dëbimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës.
Ekspertët theksojnë se Izraeli me këtë valë të re sulmesh dhe të ashtuquajtura "urdhra evakuimi", synon të pastrojë rajonin nga palestinezët dhe ta kthejë atë në një "zonë ushtarake" të pushtuar./aa