Protesta e sotme e opozitës, e cila nisi me tensione dhe hedhje molotovësh, flakadanësh, tymuesesh e kapsollash përpara Kryeministrisë, ka shkaktuar dëme të shumta materiale përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, tek zona e 9-katësheve, kryqëzimi i Rrugës së Durrësit, te Pazari i Ri, si dhe zona të tjera të kryeqytetit, ku marshuan protestuesit e drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Pas hedhjes së molotovëve dhe lëndëve piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, protestuesit arritën të djegin një pemë përpara saj dhe një tjetër përballë hotelit “Rogner”. Ndërhyrja e zjarrfikësve arriti të shuajë flakët, por dëmet ishin të dukshme.
Ndërsa përplasje ka pasur edhe me forcat e policisë.
Protesta u zhvendos më pas në drejtim të “Tajvanit”, ku u dogj një stacion autobusi. Gjithashtu, protestuesit bllokuan kryqëzimin pranë urës së Lanës, duke shkaktuar kaos në trafik dhe duke vazhduar të hedhin mjete piroteknike.
Gjatë marshimit, protestuesit dëmtuan disa reklama në trotuaret e zonës rreth “Tajvanit”, thyen xhama dhe dogjën një kazan plehrash në të njëjtën zonë.
Zjarrvëniet dhe dëmtimet e infrastrukturës urbane sollën një skenë të rënduar dëmesh materiale në qendër të Tiranës.
Gjithashtu, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi bëri të ditur se 10 punonjës policie janë dëmtuar nga sulmet e protestuesve me molotov dhe mjete të forta./ata