Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi se protesta e sotme ishte vetëm hapi i parë i mosbindjes civile dhe se ata tashmë nga Parlamenti kanë zbritur në rrugë.

Në një prononcim për mediet, nga selia e PD-së, pas përfundimit të protestës, e cila zgjati afërsisht tre orë, ku u pa të hidhet molotov drejt institucioneve të rëndësishme në vend, Noka deklaroi se shteti është në panik dhe se nuk ndalohet revolta qytetare as me gaz, as me policë.

Noka përsëriti thirrjen për qeveri teknike, duke e konsideruar atë si të vetmen alternativë për paqe sociale dhe zgjedhje të lira.

“Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve për të krijuar qeveri teknike, ndryshe nuk do të ketë paqe. Ata sot e kuptuan se beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz, as me dhunë. Do të vazhdojmë mosbindjen civile, deri sa kërkesat tona të plotësohen”, deklaroi Noka./ata